ME EMRIN E ALLAHUT TË GJITHMËSHIRSHMIT, MËSHIRPLOTIT                               "Robtë e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: "Paqe qoftë!"; (Sure "Furkan", ajeti 63)                "dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;" (Sure "Furkan", ajeti 64)                "dhe ata që thonë: "O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm; (Sure "Furkan", ajeti 65)                "e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq;" (Sure "Furkan", ajeti 66)                "dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes;" (Sure "Furkan", ajeti 67)                "dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveëse me të drejtë234 dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe." (Sure "Furkan", ajeti 68)                "Ndëshkimi do t'i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. (Sure "Furkan", ajeti 69)                "Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë." (Sure "Furkan", ajeti 70)                 "Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu. (Sure "Furkan", ajeti 71)                "(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;" (Sure "Furkan", ajeti 72)                "edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër;" (Sure "Furkan", ajeti 73)                "edhe ata që thonë: "O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ë'është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!". (Sure "Furkan", ajeti 74)                "Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe." (Sure "Furkan", ajeti 75)                "Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!" (Sure "Furkan", ajeti 76)               

Haxhi Vullnet Merja


Imam Aliu(PAQJA QOFTË MBI TË!) I DASHURI I ALLAHUT


Imam Aliu është i biri i Ebu Talibit dhe i Fatime bint Esed. Lindi në Qaben e shenjtë më 13 Rexhep, 30 vjet pas vitit të Elefantit.
Kanë kaluar vite madje edhe shekuj ku mendimtarët, studiuesit dhe dijetarët kanë shkruar libra, kanë folur madje edhe i kanë thurur vargje figurës së imam Aliut (paqja qoftë mbi të!).
Ai ishte mashkulli i parë që pranoi Islamin dhe personi që vazhdimisht e shoqeronte në namaz Profetin Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famijen e tij!).
Që në moshën 10 vjeçare ai shkonte bashkë me Profetin në periferi të Mekkës dhe të dy sëbashku faleshin dhe i luteshin Zotit. Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) të gjithë vlerat dhe mirësitë e Aliut (paqja qoftë mbi të!) i ka përmbledhur në një fjali të shkurtër duke thënë: “Aliu është i dashuri i Zotit.”
Ndërsa në një vend tjetër, Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kështu e shpjegon besimin e zëvendësit të tij: “Nëse në një anë të peshores vendosin të gjithë qiejt dhe tokën dhe në anën tjetër vendosin besimin e Aliut, ana e besimit të Aliut do të rëndojë.”
Ibn Ebil Hadid, historian dhe dijetar i njohur në botën islame, në shpjegim të lutjeve dhe ibadeteve të imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) shkruan: “Ai ishte njeriu që bënte më shumë ibadet, falte me shumë namaz dhe agjëronte më shumë së të gjithë…Çfarë mendon për njeriun të cilit i ishtë nxirë balli nga sexhdet e gjata?! Atëherë kur të thellohesh në lutjet e atij imami dhe të mësosh përmbajtjen e tyre mbi adhurimin, përuljen dhe bindjen ndaj Krijuesit, do ta kuptosh devotshmërinë e Aliut (paqja qoftë mbi të!). Atëherë do ta kuptosh se këto lutje nga cila zemër dhe nga cila gjuhë kanë buruar.”
Për filozofinë dhe mirësitë e ibadeteve imam Aliu ka thënë: “Këto ibadete i ndalonjnë duart dhe këmbët nga mëkati, i mbronjnë sytë nga shikimi duke i bërë të përulur, qetësojnë frymëmarjen dhe i zbusin zemrat. Përkujtimi ndaj Zotit forcon ndërgjegjen fetare të njeriut, shton vullnetin për punë të mira dhe redukton dëshirën për punë të këqija dhe mëkate”

Martirizimi i tij

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) një ditë i ka thënë imam Aliut: “Ti do të goditesh këtu dhe këtu (duke i treguar vendin te koka e tij) dhe gjaku do të rrjedhë prej saj derisa të lyejë gjithë mjekrrën tënde. Goditësi do të jetë më i ligu ashtu siç oshte vrasësi i devesë.”
Natën e ditës së 19 të muajit të begatë të Ramazanit, imam Aliu doli nga shtëpia për të falur namazin e sabahut në xhami. Atje pa të pafenë, të poshtrin Abdurrahman ibn Mulxhem, i cili ishte i paguar nga paria e asaj kohe për të vrarë imam Aliun, sepse imam Aliu ishte pengesë e qejfeve të asaj parie, i cili ishte shtrirë përmbys dhe shpatën e helmuar e kishte nën vete. Imam Aliu e goditi te këmba dhe i tha: “Mos fli përbys sepse ashtu flejnë banorët e zjarrit.” Imam Aliu filloi të falej dhe i poshtëri e goditi në kokë. Imam Aliu tha: “Allahu është më i madhi. Allahu i takojnë të gjitha çështjet të shkuarat dhe ato që do të vijnë.” Pastaj ra përmbys dhe mjekrra u la me gjak. Atë e mbajtën dhe e çuan në shtëpi. Për atë qanë të gjithë myslimanët, të mëdhenj e të vegjël, burra gra dhe fëmijë. Ai jetoi hero, e përqafoi islamin si hero sakrifikoi me heroizëm të paparë dhe ra dëshmor si hero. (Kjo ndodhi gjendet në librin Sijretu ibn Hisham, xhuzi i dytë, f. 150. Po ashtu edhe në Es sijretu nebeuijetu, f. 452. Gjithashtu e ka transmetuar Ahmed ibn Hanbel në sunenin e tij.)
Më 21 Ramazan të vitit 40 të hixhrit, si pasojë e plagës nga goditja e të mallkuarit ibn Mulxhem, u martirizuar njeriu për të cilën u mahnitën dhe u pikëlluan miqtë dhe armiqtë. Xhubran Khalil Xhubran, shkrimtar i njohur i krishterë nga Libani, ka thënë: “Ali ibn Ebu Talib u flijua dhe u martirizua për shkak të madhështisë dhe dinjitetin e tij. Ai ndërroi jetë në kohën kur ishte duke falur namaz dhe zemrën e kishte plotë dashuri për Zotin”.
Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) edhe në çastet e fundit të jetës së tij 63 vjeçare, ka bërë të gjitha përpjekjet për të shpjeguar dhe përhapur të vërtetat e fesë islame. Në momentet e fundit të jetës së tij ai porsit djalin e vet Hasanin (paqja qoftë mbi të!) me disa porosi.
Njohja e Zotit është burimi i dashurisë, ibadetit dhe luftës për drejtësi dhe vërtetësi të imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Ai e njohu veten dhe si rezultat arriti të njohë edhe mësimet më të vyeshme që janë mësimet e Allahut. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bota megjithë bukuritë dhe gjërat interesante që ka nuk është në pozitën e njeriut dhe njeriu është shumë më lartë asaj që veten t’ia shesë kësaj bote sepse kjo botë është mjet të cilën njeriu duhet ta shfrytëzojë për të arritur në shtëpinë e tij të vërtetë.”
Njëra prej lutjeve më të njohura të imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) është lutja “Kumejl”. Në këtë lutje mund të kuptohet thellësia e urtësisë, dijes dhe besimit të imam Aliut, i cili u edukua në prehërin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Edhe pse njerëzit e quan njeri të madh imam Aliun, përballë Krijuesit Fuqiplotë ai e cilësonte veten shumë të vogël.
Njerëzit e mëdhenj dhe të përsosur posedojnë të gjithë veçoritë morale dhe njerëzore. Sjelljet dhe fjalët e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) janë të bazuara në drejtësi dhe mirësi dhe larg cdo të mete dhe të keqe. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) si një njeri i udhëzuar në rrugën e drejtë është pasqyrë e plotë e moralit dhe mirësisë. Ai e kishte kuptuar të vërtetën. Çdo çast të jetës e kaloi me të vërtetën dhe realizonte cdo gjë që thoshte.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) kishte personalitet të përsosur dhe të çuditshëm. Në trimëri ishte i pashoq. I shërbente me dashuri dhe modesti nevojtarëve dhe varfërve. Pikëllohej thellë në shpirt nga vuajtjet dhe pikëllimet e jetimëve.
Qëllimi kryesor i imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ishte krijimi i një shoqërie të bazuar në drejtësi dhe qetësi. Kjo karakteristikë e tij kishte përfituar zemrat e shumë njerëzve sa që shumë njerëz të dijes dhe shkencës thonë: “Ah sikur të kishte ardhur edhe njëherë në histori një njeri si Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!).”
Vështrimi i imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ndaj qeverisjes posedon dallime esenciale me vështrimet e politikanëve që kërkojnë pushtet dhe fuqi. Ai, botën e cilësonte si krijesë të Zotit dhe Zoti është Pronari dhe Sunduesi absolut i gjithësisë.
Preokupimi kryesor dhe metodologjia e tij ishte që shoqërinë ta çonte drejt lumturisë dhe përsosurisë materiale dhe shpirtërore. Duke patur parasysh se dhuna dhe padrejtësia pengojnë lëvizjen e njerëzve drejt zhvillimit dhe përsosmërisë, për këtë imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) vazhdimisht theksonte mbi nevojën e vendosjes së drejtësisë dhe thoshte: “Drejtësia është njëra nga shtyllat që gjithësia është e mbështetur mbi të.” Në një vend tjetër ka thënë: “Asgjë tjetër si drejtësia nuk popullon dhe ndërton vende.” Sipas tij, drejtësia është zbukurim i besimit, madje princip i besimit. Strategjia më e rëndësishme për një pushtet ideal, sipas tij, ishte vendosja e drejtësisë në shoqëri.. Në pushtetin e tij, drejtësia nuk ishte vetëm një parullë e thatë, por ishte prioritet i programit të tij dhe domosdoshmëri e e përhershme. Me fjalë të tjera, drejtësia ishte parimi bazë i politikave të tij.
Nga veçoritë e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) në udhëheqjen e shtetit ishte shërbimi ndaj popullit. Në një letër dërguar përfaqësuesit të tij në Azerbajxhan, shkruan: “Asnjëherë të mos mendosh që qeverisja që të është besuar ty është një kafshatë, por ajo është një përgjegjësi që e ke mbi shpatulla dhe eprori yt kërkon që të respektosh të drejtat e popullit. Kështu që nuk është mirë t’i diskriminosh dhe të sillesh keq me njerëzit”.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) në dekretin e tij për taksambledhësit, shkruan: “Silluni me drejtësi dhe mëshirë. Ju jeni rezervat e popullit, përfaqësuesit e popullit dhe ambasadorët e pushtetit. Mos u sillni sikur një shtazë grabitqare që e shfrytëzon rastin për të grabitur, sepse njerëzit ose janë muslimanë si ti ose janë njerëz siç je edhe ti.”
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) gjatë qeverisjes së tij interesohej shumë për dispozitat dhe parimet e moralit dhe të edukatës. Për asnjë moment nuk u largua nga vlerat njerëzore, madje në rrethanat më të veshtira të jetës nuk ndërmori ndonjë akt të papëlqyeshëm. Ai punën e tij e kryente me besnikëri dhe në maksimum mundohej të distancohej nga popullzimi dhe mashtrimi i masës. Modestia dhe jeta e tij e thjeshtë ishin ndër elementet që atë e bënin të dashur në mesin e njerëzve. Ai shumë qartë i thoshte ndjekësve të tij: "Mos flisni me mua ashtu si flisni me despotët dhe shtypësit më të mëdhenj. Mos mendoni se nëse ma thoni një fjalë të vërtetë unë nuk do ta pranoj atë apo do të më vijë rëndë që ta zbatoj."
Ibni Abasi, duke patur parasysh këto karakteristika të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Asnjëherë nuk kam parë lider më të shtrenjtë se Aliu. Ai për të arritur në kalifat dhe për të përfituar zemrat e kundërshtarëve të tij nuk është detyruar madje asnjëherë të gënjejë në mënyrë formale." Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) edhe pse qeveriste pjesë të gjera të botës, por asnjëherë nuk përfitoi nga pozita e tij shoqërore dhe shtetërore dhe gjithnjë jetonte sikur njerëzit tjerë të shoqërisë.
Imami në letrën dërguar Osman ibn Hunejf, guvernatori i Basrës, thotë: "Dijeni që lideri juaj është i kënaqur me këto rroba të vjetra dhe dy kafshata bukë. Po të doja do të mund të siguroja për vete ushqime të shijshme si mjalti dhe rroba të stolisura prej mëndafshi, por Zoti më ruajt nga ngadhënjimi i epshit dhe djallit".
Ai vazhdimisht mbronte të drejtën dhe të vërtetën. Në një hadith të profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: "E drejta është me Aliun, dhe Aliu është me të drejtën."
Do ta mbyll fjalën time me një thënie të Xhorxh Xhordakut, mendimtarit të njohur të krishterë, i cili përulet përballë vlerave njerëzore të imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) dhe e konsideron atë si zërin e drejtësisë njerëzore. Në një përshkrim të bukur, Xhordak shkruan: "Në këtë botë çdo det lëkundet. Por unë njoh një oqean madhështor dhe shumë gjerë që është trupi i Aliut, të cilin nuk arriti ta lëkundë asgjë përveç dy gjërave: njëri 'Oh'-i i të shtypurit dhe frika nga Zoti në zemrën e tij gjatë netëve.”
PAQJA QOFTË MBI TY O PRIJËSI I BESIMTARËVE!