ME EMRIN E ALLAHUT TË GJITHMËSHIRSHMIT, MËSHIRPLOTIT                               "Robtë e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: "Paqe qoftë!"; (Sure "Furkan", ajeti 63)                "dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;" (Sure "Furkan", ajeti 64)                "dhe ata që thonë: "O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm; (Sure "Furkan", ajeti 65)                "e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq;" (Sure "Furkan", ajeti 66)                "dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes;" (Sure "Furkan", ajeti 67)                "dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveëse me të drejtë234 dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe." (Sure "Furkan", ajeti 68)                "Ndëshkimi do t'i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. (Sure "Furkan", ajeti 69)                "Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë." (Sure "Furkan", ajeti 70)                 "Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu. (Sure "Furkan", ajeti 71)                "(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;" (Sure "Furkan", ajeti 72)                "edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër;" (Sure "Furkan", ajeti 73)                "edhe ata që thonë: "O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ë'është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!". (Sure "Furkan", ajeti 74)                "Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe." (Sure "Furkan", ajeti 75)                "Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!" (Sure "Furkan", ajeti 76)               

Haxhi Vullnet Merja


IMAM HASAN EL MUXHTEBA (PAQJA QOFTË MBI TË!)


Arritëm në mesin e muajit të begatë të Ramazanit. Kjo ditë është e zbukuruar me një festë të këndshme dhe gëzim të madh. Në ditën e 15 të muajit të bekuar të Ramazanit të vitit 3-të hixhrit, lindi djali i parë i imam Aliut dhe i zonjës Fatime Zahra. Nga kjo lindje u gëzua dhe u freskua edhe zemra e profetit Muhammedit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai e quajti nipin e tij të parë me emrin Hasan që do të thotë i mirë dhe i pëlqyer.
Për këtë, të dashur miq ju shprehim urimet tona më të përzemërta me rastin e ditëlindjes së Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!).
Një ditë prej ditëve, kur Profeti i Islamit ishte në mesin e shokëve të tij, tha: "Dijeni se Hasani është dhuratë që më ka ardhur nga Allahu. Ai do t'ju njoftojë rreth meje dhe do t'ju mësojë dije dhe shkencë. Ai do ta ringjallë biografinë dhe traditën time. Sjelljet e tij janë sikur sjelljet e mia. Allahu atë e ka madhëruar. Allahu e mëshiroftë atë njeri që e njeh atë (imam Hasanin) dhe sillet mirë ndaj tij për hir të respektit që ka për mua".
Cilido që e studion me vëmendje jetën e Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) do të vërejë se ajo ndahet në disa periudha të ndryshme.
Periudha e fëmijrisë:
Një pjesë të fëmijërisë së tij ai e kaloi më gjyshin e vet, profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) derisa ishte në këtë jetë.
Një ngjarje e rëndësishme që ka ndodhur në kët periudhë është ballafaqimi i profetit të Islamit me të krishterët e Naxhranit. Në historinë islame, kjo njihet si ndodhia e “Mubaheles”, e cila është përmendur edhe në ajetin 61 të sures Ali Imran. Në këtë ngjarje profeti Muhammed solli njerëzit më të afërt dhe më të dashur të tij që ishin imam Aliu, Fatime Zahraja, imam Hasani dhe imam Husejni.
Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) vetëm shtatë vjet jetoi pranën gjyshit të vet, profetit Muhamed. Kjo periudhë e shkurtër, mjaftoi që imam Hasani të përfitojë nga burimet e dijeve dhe moralit të paparë të gjyshit të tij dhe të ndriçohet me dritën e pashuar të Profetit. Fatime Zaharaja ka thënë: "Biri im Hasani, edhe pse ishte i vogël, vazhdimisht merrte pjesë në namazet dhe fjalimet e babait tim dhe i mësonte përmendësh ligjëratat e Profetit. Pastaj vinte në shtëpi dhe pa ndryshimin më të vogël m'i përsëriste fjalimet e të dërguarit të Allahut".
Periudha e rinisë:
Pas një periudhe të shkurtër nga ndërrimi jetë i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), e humbi edhe nënën e tij Fatimenë. Për atë filloi një periudhë e re e jetës pranë babait të tij, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Imam Hasani një pjesë të madhe të jetës së tij të ndritur e kaloi me babain e vet, imam Aliun. Me një qëndrueshmëri dhe rezistencë të paparë, qëndroi përballë rrymave devijuese dhe nuk lejoi fikjen e dritës së Islamit. Ai ishte ndihmësi më i madh i imam Aliut në ditët më të vështira të kalifatit dhe në krizat tepër të rënda të shoqërisë. Madje ishte i pranishëm në të gjitha luftërat e rëndësishme.
Periudha e imamatit:
Pas martirizimit të babait të tij, imam Hasani mori mbi supe udhëheqjen e besimtarëve në një periudhë shumë të vështirë dhe kaotike. Në këtë epokë të historisë islame u planifikuan komplote të ndryshme të kundërshtarëve dhe armiqve të Islamit. Prandaj, kjo ishte periudha më e vështirë në jetën e imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!).
Imamati dhjetë vjeçar i imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) përkoi me kohën e dinastisë umovite e cila udhëhiqej nga Muaviu i biri i Ebu Sufjanit dhe shoqëria islame e asj kohe po përballej me presione të gjithanshme. Kjo atmosferë kishte vështirësuar dukshëm kushtet për përhapjen e mësimeve të vërteta islame. Në këto kushte Imam Hasani, me vigjilencë dhe mencuri, arriti ta shpëtojë Islamin nga devijimet dhe aristokracia të cilën Muavija po e përhapte me një dinakëri dhe strategji shumë të fuqishme.
Fillimisht imam Hasani për të larguar rrezikun e madh pranoi paqen me Muavien. Kjo paqe e arritur në sajë të largpamësisë së imam Hasanit në fund doli në interest ë Islamit dhe shoqërisë islame në përgjithësi. Në lidhje me marrëveshjen e pajtimit të imamit me Muavien janë thënë fjalë të ndryshme. Këtë marrëveshje mund ta konsiderojmë si një lloj armëpushimi të imam Hasanit përballë armikut me qëllim ruajtjen e unitetit në mesin e shoqërisë islame dhe mbrojtjen e vlerave të larta islame. Sigurisht, që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mes imam Hasanit dhe Muaviut përmbante edhe kushte ku ndër to ishte edhe kërkesa për zbatimin e rregullave të Kur'anit dhe traditës së Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kjo dëshmon faktin se imam Hasani interesohej shumë për fatin dhe të ardhmen e Islamit dhe të myslimanëve.
Imami u përball me kritika të shumta në lidhje me marrëveshjen. Ato kritika të sipërfaqësorëve dhe të fanatikëve mendjeshkurtër të asaj kohe imam Hasani i përballoi me një durim të paparë. Me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, e cila buronte nga njohja e mirfilltë e realitetit të kohës, ai gradualisht krijoi kushtet dhe përgatiti terrenin për kryengritjen e imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!). Fjalmi i imam Hasanit që mbajti në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, është një dokument që nxjerr në pah largpamësinë dhe vigjilencën e tij. Ndër të tjera në këtë fjalim imam Hasani ka thënë: “Unitetin dhe solidaritetin midis myslimanëve e konsideroj më të mirë se sa përcarjea midis tyre. Atë që unë e konsideroj të mirë për ju është më e mirë se ajo që ju e konsideroni të mirë për veten tuaj. Prandaj, mos e kundërshtoni vendimin tim…”
Sikur të mos ishte largpamësia dhe maturia e imam Hasanit, ummeti islam do të përballej me tufane shkatërruese. Pasi nënshkroi marrëveshjen për paqe, imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) u kthye në qytetin e lindjes, në Medinen e Ndritur në të cilën i kaloi dhjetë vitet e fundit të jetës së tij në udhëzimin dhe ndriçimin e njerëzve. Gjatë këtyre viteve, imami i përforcoi themelet e besimit dhe të mendimit islam. Në periudha të ndryshme ai kritikonte ashpër strategjinë edhe politikat dëmtuese e shkatërruese të Muavijes.

Virtytet e imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!)

Imam Hasani (paqja qoftë mbi të!) ishte manifestues i bukurive shpirtërore dhe epiteteve të larta njerëzore. Njëra ndër karakteristikat dhe cilësitë e rëndësishme të imam Hasanit, e cila ishte mjaft edukative për të tjerët, ishte të falurit dhe ndihma e të varfrve. Çdo gjë që posedonte e kishte vënë në shërbim të Islamit dhe të myslimanëve. Nipi i profetit, faljen dhe mirësinë e kishte vendosur si prioritet të jetës së tij. Për shkak të ndihmës së shumta për të varfërit dhe mjeranët, ai mori pseudonimin “falës dhe zemërbutë”.
Transmetohet se një ditë një nevojtar shkoi tek imam Hasani. Imami i tha: "Shkruaje atë që kërkon.” Imami, pasi e lexoi letrën, i dhuroi të varfërit dyfish më tepër nga ajo që kishte kërkuar. Njëri nga të pranishmit i tha: “O nipi i Profetit! Sa e bereqetshme ishte kjo letër për këtë njeri.” Imam Hasani ia ktheu: “Bereqeti i tij për ne ishte më i madh, sepse neve na bëri prej atyre që ndihmojnë.”
Me sjelljet dhe virtytet e tij të larta, imam Hasani kishte pushtuar zemrat e besimtarëve. Modestia ia zbukuronte atij edhe më shumë sjelljet dhe moralin. Një ditë prej ditëve imam Hasani kaloi pranë disa nevojtarëve. Ata ishin ulur në tokë dhe po hanin bukë të thatë. Kur e panë imam Hasanin i thanë: "O nipi i të dërguarit të Allahut, eja dhe na shoqëro në ngrënie.” Imam Hasani menjëherë zbriti nga kali dhe tha: “Zoti nuk i do mendjemëdhenjtë.” dhe u ul të hajë bukë me ta. Më pas imami i pastër i ftoi ata në shtëpinë e tij dhe u dha atyre ushqime të shijshme dhe rroba për të veshur.
Një njeri e pyeti imam Hasanin (paqja qoftë mbi të!): “Çfarë mendimi ke rreth kujdesit dhe përmbajtjes në jetë?” Imami iu përgjigj: “Duhet t'i përmbahesh të drejtave të Zotit, të drejtave të të gjallëve dhe të drejtave të të vdekurve. E drejta e Zotit është që të praktikosh atë që të ka urdhëruar Zoti dhe të braktisësh atë që të ka ndaluar. Të drejtat e të të gjallëve janë që të zbatosh përgjegjësitë tuaja ndaj vëllezërve të fesë dhe të mos kursehesh në shërbimin ndaj bashkëfetarëve të tu. Kurse e drejta e të të vdekurve është që t'i kujtosh ata dhe t'ia harrosh të këqijat, sepse ekziston një Zot që i bën llogaritë e tyre.”
Imam Hasani kishte një zë shumë të bukur dhe të ëmbël kur lexonte Kur’an. Që në fëmijëri ai kishte një oratori të jashtëzakonshme. Amir ibn Is'hak në lidhje me elokuencën dhe oratorinë e imam Hasanit ka thënë: "Hasan ibn Ali fliste aq bukur dhe rrjedhshëm sa që dëshiroja që asnjëherë të mos e ndërpriste fjalimin. Për askënd nuk kam patur ndonjë emocion të tillë dhe asnjëherë nuk kisha dëgjuar ndonjë fjalë të ashpër nga ai."
Imam Hasani ka thënë: "Me të vërtetë, Allahu e ka bërë muajin e bekuar të Ramazanit garim, ku njerëzit me anë të adhurimit mund të arrijnë në lumturi dhe mirësi".
Dhe: "Mëso nga të tjerët dhe jepu të tjerëve nga dija që ke, sepse në këtë mënyrë edhe e ke përforcuar dijen tënde por edhe ke mësuar ato gjëra që nuk i ke ditur."
Dhe: "Sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty, nëse dëshiron të arrish në drejtësi."
Është përcjellë nga Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), se ka thënë: “Cilido që dëshiron të shikojë një zotëri nga të rinjtë e banorëve të Xhenetit, le të shikojë Hasanin.”
Në një hadith tjetër Profeti Muhamemd (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Hasani është një lule me aromë të mirë që unë kam marrë nga kjo botë.”
Profeti Muhamemd aq shumë i lavdëronte Hasan dhe Husejnin saqë disa nga të pranishmit filluan të mendojnë se këta të dy janë më të mirë dhe me grada më të larta se babai i tyre imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Kjo çështje u bë shkak që Profeti Muhammed të thoshte: “Hasani dhe Husejni në këtë botë dhe në Botën Tjetër janë më të mirët kurse babai i tyre është më i lartë dhe më i mirë se ata të dy.”
Njëri prej shokëve të Profetit Muhammed ka thënë: E kam parë Profetin duke mbajtur Hasanin mbi shpinë dhe thoshte: “O Zoti im! Unë e dua Hasanin…”
Ndërsa Ebu Dherr El Gaffarij, njëri nga shokët besnikë të Profetit Muhammed ka transmetuar: “E kam parë Profetin duke e puthur Hasan ibn Aliun dhe thoshte: “Ai që do ta dojë me sinqeritet Hasanin dhe Husejnin, zjarri i xhehennemit nuk do t’ia djegë fytyrën…”.
Me këto fjalë Profeti Muhammed donte që t’ua bënte të qartë shokëve të vet mendimin dhe pikëpamjen e tij në lidhje me Imam Hasanin. Kjo për faktin se të gjithë e dinin se Profeti nuk flet asnjë fjalë pa arsye, gjë të cilën e konfirmon edhe Kur’ani famëlartë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij.” Sure “Nexhm”, ajeti 3.
Në mësimet islame, të pasurit kanë përgjegjësi shumë të madhe ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Të pasurit duhet të përpiqen për të përmbushur nevojat e të varfërve. Të dërguarit Allahut dhe të dashurit (eulijatë) e Tij, kanë qenë shembull i mirësisë dhe mirësjelljes ndaj njerëzve. Edhe imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), i cili në aspektin e dijes, mirësjelljes dhe devotshmërisë gëzonte një pozitë shumë të lartë, ishte i njohur për faljen dhe ndihmën që u ofronte nevojtarëve dhe të varfërve. Ai njihej si “Bujari i Ehli Bejtit”. Imam Hasani ishte qetësim për zemrat e lënduara, strehë për të pastrehët dhe shpresë për ata që kishin humbur shpresat.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që një i varfër të shkonte tek ai dhe të kthehej duarbosh.
Imam Hasani gjatë gjithë jetës së tij të begatshme përpiqej për udhëzimin e njerëzve. Ai përballej me ta me mënyrën më të mirë e më të bukur dhe me këtë sjellje ai i bënte për vete njerëzit.