ME EMRIN E ALLAHUT TË GJITHMËSHIRSHMIT, MËSHIRPLOTIT                               "Robtë e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: "Paqe qoftë!"; (Sure "Furkan", ajeti 63)                "dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;" (Sure "Furkan", ajeti 64)                "dhe ata që thonë: "O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm; (Sure "Furkan", ajeti 65)                "e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq;" (Sure "Furkan", ajeti 66)                "dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes;" (Sure "Furkan", ajeti 67)                "dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveëse me të drejtë234 dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe." (Sure "Furkan", ajeti 68)                "Ndëshkimi do t'i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. (Sure "Furkan", ajeti 69)                "Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë." (Sure "Furkan", ajeti 70)                 "Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu. (Sure "Furkan", ajeti 71)                "(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;" (Sure "Furkan", ajeti 72)                "edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër;" (Sure "Furkan", ajeti 73)                "edhe ata që thonë: "O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ë'është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!". (Sure "Furkan", ajeti 74)                "Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe." (Sure "Furkan", ajeti 75)                "Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!" (Sure "Furkan", ajeti 76)               

Përgatiti:I ndjeri Nuredin Ahmedi


Gruaja që fliste vetëm me Kur’an


Abdullah ibn Mubareku (All’llahu e mëshiroftë!) rrëfen: “Vendosa të shkoja e të vizitoja Qaben dhe varrin e Muhammedit (paqja qoftë mbi të!). Në një rast, gjersa isha në rrugëtim e sipër, vërejta një shenjë të zezë në hapësirën tokësore. Vendosa të nisem drejt shenjës dhe duke iu afruar, dallova se ishte një grua plakë me mbulesë dhe shami të leshtë. Iu afrova ngadalë dhe e përshëndeta: - “Paqja, shpëtimi dhe mëshira e All’llahut qoftë mbi ty!”
Ajo m’u përgjigj: “Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ju, fjalët e Fuqiplotit Mëshirues.”
Unë e pyeta: Ç’po bën këtu - të Mëshiroftë All’llahu?”
Ajo u përgjigj: “Kë e humb All’llahu, për të nuk ka udhëzues.”
Unë me këtë e kuptova se ajo kishte humbur rrugën, ndaj dhe e pyeta: “Nga po ia mësyen?”
Ajo u përgjigj: “Qoftë i Lartmadhëruar Ai, i Cili e barti robin e Tij natën, prej Mesxhidi-Haramit gjer në Mesxhidi-Aksa.”
Nga kjo e kuptova se ajo e kishte kryer Haxhin dhe dëshironte ta vizitonte Mesxhidi-Aksanë në Bejtul-Mukaddes (Palestinë), ndaj edhe e pyeta: “Sa kohë keni në këtë vend?”
Ajo tha: “Tri netë të plota.”
Unë: “Nuk po shoh ushqim, a keni me vete?”
Ajo: “Ai (All’llahu) më ushqen mua dhe më jep ujë të pi.”
Unë: “E me çka po merrni abdes?”
Ajo: “E nëse nuk gjeni ujë, merrni tejemum (dhe i pastër).”
Unë: “Me vete kam ca ushqim, a dëshironi të hani pak?”
Ajo: “Pastaj, plotësojeni agjërimin gjer në mbrëmje.”
Unë: “Po tani nuk është muaji i Ramazanit!“
Ajo: “Kush agjëron vullnetarisht është më mirë, Zoti vërtet është i Gjithëditur.”
Unë: “Gjatë udhëtimit na është lejuar ushqimi (mos agjërimi)?”
Ajo: “Dhe nëse agjëroni (gjatë udhëtimit) është më mirë për ju, nëse e dini.”
Unë: “Pse nuk më flet ashtu sikur po të flas unë? Pse më përgjigjesh vetëm me ajete Kur’ani?”
Ajo: “Ai (njeriu) nuk shqipton asnjë fjalë, e pranë tij të mos jetë Ai (All’llahu) që gjithmonë është zgjuar.”
Unë: “Nga cili vend jeni?”
Ajo: “Mos u merr me atë që nuk e di! Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe mendja - për të gjitha këto do të përgjigjesh.”
Unë: “Më fal se gabova, të lutem më drejto!”
Ajo: “Unë tash nuk do t’ju qortoj, All’llahu do t’ju falë.”
Unë: “A pajtoheni që t’ju bart me devenë time, që të mbërrini karvanin?”
Ajo: “Gjithçka të mirë që bëni, All’llahu e di.”
Unë: “Ja ku e përgatita devenë, urdhëroni - gati është për të hipur!”
Ajo: “Thuaju besimtarëve, le të ulin shikimin e tyre.”
Unë: “Urdhëroni - ja deveja, hipni!” - i thashë duke u mënjanuar nga ajo (plaka).
Ajo, kur deshi që të hipte në deve, deveja u ngrit përpjetë, dhe në atë moment ia shkeu një pjesë të teshave plakës, kështu që, ajo në tërë këtë situatë të pakëndshme u shpreh: “Çfarëdo mundimi e vështirësie t’ju gjejë, ai është rezultat i asaj që keni bërë.”
Unë: “Ju lutem, duroni pak, deri sa ta pengoj devenë nga prapsimi.”
Ajo: “Ne ia bëmë të kuptuar Sulejmanit.”
Unë pastaj e pengova devenë dhe iu drejtova plakës: “Hipni!”
Ajo: “I Lavdëruar është Ai (All’llahu), i Cili na i ka nënshtruar këto që na shërbejnë, ne vetë nuk do të kishim mundur ta arrinim (këtë gjë) dhe në të vërtetë, tek Zoti ynë do të kthehemi.”
Unë, më pas, e mora litarin e devesë për dore dhe fillova të ec shpejt e të flas me të madhe...
Ajo: “Bëhu i matur në të ecur dhe gjatë bisedës ule zërin!”
Pas kësaj, duke ecur më ngadalë, fillova të recitoj disa vargje të një poezie të njohur arabe...
Ajo: “Lexoni diç nga Kur’ani!”
Unë, tërësisht i mahnitur, iu drejtova: “Vërtet të qenkan dhuruar mirësi të pakufishme!”
Ajo: “Dhe (këtë mirësi), nuk e përkujtojnë, përveç atyre që logjikojnë.”
Pasiqë kaluam një copë rrugë, unë e pyeta nëse ishte e martuar.
Ajo u përgjigj: “O besimtarë! Mos pyesni për atë gjë, e cila kur t’ju shpjegohet, ju bën të paaftë për ta kuptuar.”
Pas kësaj përgjigje, heshta për një kohë gjersa e arritëm karvanin dhe atëherë sërish iu drejtova plakës: “Ja ku është karvani. A keni ndonjë njeri tuajin në karvan?”
Ajo më tha: “Pasuria dhe fëmijët janë bukuria e jetës në këtë botë.”
Me këtë kuptova te karvani të cilit iu afruam, duhej të ishin edhe djemtë e saj, por, megjithatë, e pyeta: “Çfarë kërkojnë ata në Haxh?”
Ajo: “...dhe shenja udhëzimi, por edhe me yje ata udhëzohen.”
Unë, me këtë arrita të kuptoj se ajo më nënkuptoi se djemtë e saj ishin udhëheqës (udhëzues) të karvanit dhe kur iu afruam karvanit e pyeta se kush ishin ata?
Ajo m’u përgjigj: “All’llahu e ka konsideruar Ibrahimin për dashamirë; All’llahu, me siguri, ka urdhëruar Musanë: O Jahja! Merre Librin me vendosmëri.”
Pas kësaj përgjigjeje që mora nga plaka, thirra me të madhe: “O Ibrahim! O Musa! O Jahja!” - kur ç’të shoh, befas para meje u nisën tri djelmosha që m’u dukën tamam si tri yje ndriçues tërë nur... Pasi që u ulën, bashkëudhëtarja ime (plaka) iu drejtua bijve të saj: “Dërgojeni njërin prej jush me këto të holla (para) në qytet dhe le të shikojë se tek kush është ushqimi më i pastër, e le t’ju sjellin prej tij ushqim.”
Njëri nga bijtë e saj vajti në qytet dhe më pas u kthye e më ofruan ushqim për të ngrënë.
Plaka menjëherë ma priti: “Hani e pini, u bëftë mirë, për atë që ofruat në ditët e shkuara!”
Unë iu drejtova atyre me fjalët: “Ushqimi juaj tani për mua është haram (i ndaluar), derisa nuk më tregoni për çështjen e nënës suaj, d.t.th. të më tregoni se përse ajo flet vetëm me ajete kur’anore?“
Bijtë e plakës mu përgjigjën: “Nëna jonë ka dyzet vjet që flet (komunikon) vetëm me Kur’an, nga frika se mos rastësisht po gabon diç dhe kësisoj nuk kënaqet me të Krijuesi i botëve (Lartësuar e Madhëruar qoftë Ai, i Cili bën atë që dëshiron!).”
Abdullah ibn Mubareku (All’llahu e mëshiroftë!) e përfundon rrëfimin me këto fjalë: “Unë iu thashë atyre: “Kjo është begati e All’llahut të cilën ua jep atyre që Ai dëshiron. E, tek All’llahu begatitë janë të mëdha.”